Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale organizojnë ligjëratë të hapur me ekspertin e çështjeve sociale Vebi Mujku
Me rastin e Ditës Botërore të Punës Sociale, studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale kanë ndërmarrë një iniciativë për të organizuar ligjëratë të hapur dhe për të bashkëbiseduar me ekspertin e çështjeve dhe politikave sociale Vebi Mujku.
Në fjalën hyrëse dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale Prof. Ass. Dr. Ferdi Kamberi falënderoi të pranishmit dhe theksoi nevojën e ligjëratave të tilla të cilat janë të domosdoshme për studentët e fakultetit, për zgjerimin e dijes, njohuri të reja dhe zhvillimin e praktikës së punës sociale.
Gjatë kësaj ligjërate, z. Mujku shpalosi përvojën e tij shumëvjeçare lidhur me punën sociale, u fokusua rreth rolit të punës sociale dhe punonjësve sociale, shërbimeve sociale, strukturës së shërbimeve sociale, klientëve, problemeve dhe sfidave, rrezikshmërisë së punonjësve sociale, punës në komunitet dhe për orientimet së ardhmes për sa i përket punës sociale në Kosovë.
Në anën tjetër, studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale e mirëpritën ligjëratën dhe gjatë bashkëbisedimit parashtruan një mori të pyetjeve të cilat kishin të bëjnë me temën në fjalë.
Ky aktivitet është vazhdimësi e aktiviteteve me akterë institucional dhe ndër institucional me qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave dhe përgatitjen e studentëve për nevoja të tregut të punës.