Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale angazhohen në Praktikat Studimore për Mirëqenie dhe Zhvillim të Shërbimeve Sociale

Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale angazhohen në Praktikat Studimore për Mirëqenie dhe Zhvillim të Shërbimeve Sociale

Në kuadër të programit ‘Kujdesi dhe Mirëqenia Sociale’ dhe studentët e vitit të parë dhe të vitit të tretë të Fakultetit të Shkencave Sociale pran Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, janë të angazhuar në zhvillimin e praktikave studimore profesionale në institucione dhe organizata jo qeveritare të ndryshme në qytete si: Gjakova, Peja, Deçani, Istogu, Klinë dhe më gjerë. Ky angazhim, nën monitorimin e Prof. Ass. Dr. Sherif Sejdiu dhe Ass. (PhD Cand) Granit Kelmendi, përfshin fushat e punës sociale, të shëndetit mendor dhe shërbimeve sociale në arsim, duke u angazhuar si pjesë aktive në organizata dhe institucione publike si: Qendrat për Punë Sociale, Qendrat e Shëndetit Mendor, Qendrat e Qëndrimit Rezidencial, Shoqatat për Shërbime ndaj Personave me Nevoja të Veçanta, si dhe institucione të arsimit parafillor, fillor dhe të mesëm.

Nevoja për profesionistë të shërbimeve sociale që ofrojnë mbështetje të specializuar për grupet vulnerabil është mese e nevojshme sot. Direktivat dhe udhëzimet e Bashkimit Evropian për shtetet anëtare dhe ato që janë në proces të anëtarësimit theksojnë rëndësinë e forcimit të kuadrove profesionale konform nevojave të tregut të punës. Universiteti e konsideron si një obligim institucional avancimin e këtyre kuadrove, për të siguruar që e ardhmja e shoqërisë sonë të përfitojë nga shërbime sociale të cilësisë së lartë, shërbime sa më afër qytetarëve, si dhe shërbimet të garantuara me aktet ndërkombëtare.

Ky aktivitet ka një rëndësi të veçantë për studentët, pasi ata zhvillojnë aftësitë profesionale dhe aplikojnë njohuritë e fituara gjatë studimeve. Praktikat e profilit social ofrojnë mundësi të shkëlqyera për t’u angazhuar në fushat e mirëqenies sociale dhe për t'u përgatitur për sfidat profesionale të të ardhmes.

Fakulteti i Shkencave Sociale falënderon të gjithë institucionet, organizatat jo qeveritare, si dhe partnerët tjerë që mbështesin zhvillimin e praktikës studimore dhe angazhimin e studentëve tanë. Kontributi i tyre është i çmuar për realizimin e objektivave tona dhe për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve sociale dhe arsimit në përgjithësi.

 

Fotot e lajmit

tp-bottom