
Fakulteti i Shkencave Sociale në bashkëpunim me Universitetin e IOWA-s (SHBA) mban trajnimin “Dementia Friends Session” për stafin akademik
Në kuadër të zbatimit të Planit Strategjik 2023–2026, Fakulteti i Shkencave Sociale i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, në bashkëpunim me Universitetin e IOWA-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka organizuar trajnimin profesional “Dementia Friends Session” për stafin akademik. Trajnimi u zhvillua nga Prof. Megan Zimmerman dhe u mundësua falë mbështetjes së Prof. William R. Henninger nga Universiteti i IOWA-s.
Gjatë këtij cikli trajnimesh virtuale, pjesëmarrësit patën mundësi të njihen nga afër me çështjet që lidhen me demencën, faktorët rrezikues, llojet e demencës, rëndësinë e qasjes gerontologjike, si dhe rolin thelbësor të familjes, komunitetit dhe profesionistëve të fushës së punës sociale në mbështetjen e personave me demencë.
Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm në drejtim të zhvillimit profesional të stafit akademik, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës për fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe akademike.