Zyra për Sigurimin e Cilësisë në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë nis kampanjën për vetëdijesimin e studentëve mbi rëndësinë e plotësimit të pyetësorëve të vlerësimit
Zyra për Sigurimin e Cilësisë ka nisur kampanjën për vetëdijesimin e studentëve lidhur me rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në vlerësimin e cilësisë në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, përmes plotësimit të pyetësorëve të vlerësimit.
Me miratimin e Komisionit për Sigurimin e Cilësisë, u.d. udhëheqësja e Zyrës për Sigurimin e Cilësisë Qëndresa Bardhoshi, në bashkëpunim me studenten anëtare të Komisionit për Sigurimin e Cilësisë të Fakultetit të Shkencave Sociale, Elda Gacaferri, kanë filluar sot prezantimet informuese në Fakultetin e Shkencave Sociale, me fokus te studentët e vitit të parë.
Qëllimi i fushatës është informimi i studentëve lidhur me llojet e pyetësorëve që shpërndahen nga Zyra për Sigurimin e Cilësisë dhe sigurimi i studentëve që këta pyetësorë janë plotësisht anonimë. Studentët u inkurajuan të shprehin mendimin e tyre lirshëm, pasi të dhënat trajtohen me konfidencialitet të plotë.
Gjatë prezantimeve u shpërndanë posterë dhe fletushka informuese, të cilat janë publikuar edhe në ueb-faqen zyrtare të UFAGJ-së. Fushata do të zgjasë deri më 22.12.2025 dhe do të zhvillohet në të gjitha fakultetet.