Fakulteti i Shkencave Sociale nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me CONCORDIA Projekte Sociale
Gjakovë, 2 mars 2026
Fakulteti i Shkencave Sociale ka formalizuar sot një marrëveshje bashkëpunimi me OJQ “CONCORDIA Projekte Sociale”, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjes ndërmjet arsimit universitar dhe praktikës profesionale në fushën e punës sociale.
Marrëveshja u nënshkrua nga dekani i Fakultetit, Prof. Ass. Dr. Ferdi Kamberi, dhe drejtoresha ekzekutive e organizatës, Mirela Carmen Lavric. Ky partneritet synon thellimin e bashkëpunimit institucional përmes zhvillimit të projekteve të përbashkëta, shkëmbimit të përvojave profesionale dhe angazhimit aktiv të studentëve në procese që lidhen drejtpërdrejt me realitetin e shërbimeve sociale.
Fokusi i veçantë i kësaj marrëveshjeje është avancimi i praktikës profesionale të studentëve të programeve të punës sociale, duke u krijuar atyre mundësi për përfshirje konkrete në aktivitete dhe shërbime komunitare. Përmes këtij bashkëpunimi, studentët do të kenë hapësirë për të zhvilluar kompetenca praktike, për të ndërtuar përvojë në terren dhe për të forcuar lidhjen mes teorisë dhe praktikës.
Ky bashkëpunim përfaqëson vazhdimësinë e angazhimit të menaxhmentit, stafit akademik dhe studentëve për rritjen e cilësisë së studimeve, zgjerimin e partneriteteve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe përmbushjen e objektivave strategjike të Fakultetit për periudhën 2023–2026, përfshirë zbatimin e rekomandimeve institucionale për avancimin e cilësisë.
Realizimi i kësaj marrëveshjeje është mundësuar përmes koordinimit të studentes Blerina Lala, duke dëshmuar rolin aktiv të studentëve në nxitjen e bashkëpunimeve që kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin profesional dhe institucional.