Mbrojtja e të drejtave të grave në fokus: Ligjëratë e hapur në Universitetin “Fehmi Agani” ngre diskutim mbi dhunën në familje dhe pronësinë
Gjakovë, 18 maj 2026
Në kuadër të lëndës “Kuadri Ligjor për Ofrimin e Shërbimeve Sociale”, në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit “Fehmi Agani” u mbajt ligjërata e hapur me temë “Mbrojtja Ligjore e Grave: Pronësia, Dhuna në Familje dhe Standardet e Konventës së Stambollit”, e realizuar nga juristja dhe profesionistja e shërbimeve sociale Arbnore Shehu Bunjaku.
Në këtë aktivitet morën pjesë studentë dhe profesorë të fakultetit, të cilët patën mundësinë të ndjekin një diskutim interaktiv mbi mbrojtjen ligjore të grave, të drejtat pronësore, dhunën në familje dhe standardet ndërkombëtare të përcaktuara nga Konventa e Stambollit.
Ligjërata u karakterizua nga bashkëbisedim aktiv, pyetje dhe diskutime në fund të prezantimit, duke nxitur reflektim dhe shkëmbim mendimesh mbi sfidat sociale dhe juridike që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të grave.
Ky aktivitet u organizua nga Ass. (PhD) Emirjeta Kumnova në bashkërendim me studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe është vazhdimësi e aktiviteteve sociale në kuadër të planit strategjik të fakultetit.