
Fakulteti i Shkencave Sociale pranon literaturën në shkrimin Brail për studentët e verbër
Fakulteti i Shkencave Sociale pran Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë ka pranuar zyrtarisht një pjesë të literaturës akademike të shtypur në shkrimin Brail nga OJQ Lions Club Istog. Ky donacion i rëndësishëm do t’u ofrojë studentëve të verbër burime thelbësore për procesin e tyre të edukimit.
Donacioni përfshin libra dhe udhëzues nga fusha e shkencave sociale dhe u pranua nga Dekani, Prof. Ass. Dr. Ferdi Kamberi, dhe Prodekani, Prof. Asoc. Dr. Sherif Sejdiu. Në ceremoninë e pranimit ata theksuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi për krijimin e një infrastrukture më të qasshme dhe një mjedisi më gjithëpërfshirës për të gjithë studentët.
Ky projekt u realizua falë bashkëpunimit të Shoqatës së të Verbërve të Gjakovës, të përfaqësuar nga Kryetari i saj, z. Mark Pjetraj, në partneritet me z. Nexhmedin Beqiraj, Kryetar i Lions Club Istog, dhe z. Enver Ulaj, Koordinator në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” në Pejë, i cili u angazhua me përgatitjen e materialeve.
Të pranishmit theksuan mbështetjen ndaj studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale, duke nënvizuar edhe vazhdimin e projekteve tjera me interes të përbashkët.
Ky bashkëpunim është një hap konkret në përmbushjen e rekomandimeve të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, duke nënvizuar përkushtimin e Fakultetit për përmirësim të vazhdueshëm dhe standarde cilësore.