Fakulteti i Shkencave Sociale zgjeron rrjetin e partnerëve përmes marrëveshjes së bashkëpunimit me Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” në Pejë
Gjakovë, 16 korrik 2026
Fakulteti i Shkencave Sociale ka formalizuar bashkëpunimin me Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” në Pejë, duke nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi që synon forcimin e partneritetit institucional dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillimin akademik e profesional të studentëve.
Marrëveshja u nënshkrua nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Ass. Dr. Ferdi Kamberi, dhe Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda”, z. Isuf Ahmetaj. Përmes kësaj marrëveshjeje, palët angazhohen të zhvillojnë iniciativa të përbashkëta në fushën e edukimit, shërbimeve sociale dhe ngritjes së kapaciteteve profesionale, si dhe të shkëmbejnë përvoja dhe ekspertizë në funksion të avancimit të cilësisë së bashkëpunimit ndërinstitucional.
Një komponent i rëndësishëm i kësaj marrëveshjeje është krijimi i mundësive për realizimin e praktikës profesionale të studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale. Përfshirja e tyre në aktivitetet dhe shërbimet e qendrës do t'u mundësojë studentëve të zhvillojnë kompetencat profesionale, të fitojnë përvojë praktike dhe të forcojnë lidhjen ndërmjet njohurive teorike dhe aplikimit të tyre në praktikë.
Ky partneritet është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Fakultetit të Shkencave Sociale për zgjerimin e bashkëpunimit me institucione dhe organizata relevante, me qëllim të avancimit të cilësisë së mësimdhënies, fuqizimit të praktikës profesionale dhe përgatitjes së studentëve për tregun e punës.
Ky bashkëpunim është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të asistentit MA (PhD kandidat) Granit Kelmendi, i cili koordinon praktikën profesionale të studentëve dhe punon në zgjerimin e rrjetit të partnerëve të Fakultetit të Shkencave Sociale me institucione publike dhe organizata të shoqërisë civile.