Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale shënojnë Tetorin Rozë me mesazhe ndërgjegjësimi dhe solidariteti

Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale shënojnë Tetorin Rozë me mesazhe ndërgjegjësimi dhe solidariteti

Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale, në bashkëpunim me Parlamentin Studentor, organizuan një aktivitet vetëdijesues në kuadër të Tetorit Rozë, me temën “Ndërgjegjësim për një temë që nuk duhet heshtur – Flasim për shëndetin, ndërtojmë shpresën”. Aktiviteti kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes për kancerin e gjirit, rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe zbulimit të hershëm, si dhe promovimin e solidaritetit, mbështetjes dhe përgjegjësisë shoqërore.

Në kuadër të aktivitetit, kryesuesja e Këshillit Drejtues, znj. Majlinda Haxhikadrija, theksoi rëndësinë e Tetorit Rozë dhe rolin e tij në ngritjen e vetëdijes shoqërore për shëndetin e grave. Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Ferdi Kamberi, theksoi se Tetori Rozë nuk është vetëm një muaj ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit, por edhe një thirrje për solidaritet, mbështetje dhe përgjegjësi shoqërore. Kryetarja e Parlamentit Studentor, Elda Gacaferri, falënderoi studentët për organizimin e aktivitetit, duke i inkurajuar që të vazhdojnë me iniciativa të tilla në shërbim të komunitetit.

Fjalën kryesore e mbajti Valbona Kastrati, drejtoreshë e OJQ-së “Ia Vlen të Jetosh”, e cila foli për rëndësinë e ndërgjegjësimit, informimit dhe kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin e grave. Kontribut në aspektin profesional shëndetësor dha edhe BSc. MA Mirlinda Llapi nga AMF Skivjan, e cila ligjëroi për temën “Parandalimi i kancerit të gjirit”, duke vënë në pah rëndësinë e informimit, kujdesit shëndetësor dhe kontrolleve të rregullta.

Një nga momentet më domethënëse të aktivitetit ishte gjesti human i studentes Rrona Rudi, e cila dhuroi flokët e saj për OJQ-në “Ia Vlen të Jetosh”. Ky veprim solidariteti përcolli një mesazh të fuqishëm empatie, mbështetjeje dhe kujdesi ndaj grave që përballen me sfida shëndetësore, duke dëshmuar se edhe një gjest i sinqertë mund të sjellë shpresë dhe të bëjë ndryshim në jetën e dikujt.

Aktiviteti u moderua nga studentja Altrina Halilaj dhe u realizua me pjesëmarrjen e studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale.

Në përmbyllje, u zhvillua aktiviteti simbolik “Kutia që nuk duhet të mbetet bosh”, përmes të cilit të pranishmit patën mundësinë të shkruanin mesazhe në përgjigje të pyetjes: “Çfarë do t’i thoshe një gruaje që po e shtyn kontrollin e gjirit?”. Përmes këtyre mesazheve u përcollën fjalë inkurajimi, mbështetjeje dhe thirrje për kujdes të vazhdueshëm ndaj shëndetit.

Fotot e lajmit