Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë fuqizon inovacionin në mësimdhënie përmes projektit Edu4Migration

Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë fuqizon inovacionin në mësimdhënie përmes projektit Edu4Migration

Në kuadër të projektit ndërkombëtar Edu4Migration, sot u mbajt trajnimi me temën “Metodologjia bashkëkohore e mësimdhënies”, me fokus në qasjet inovative pedagogjike dhe përmirësimin e cilësisë së procesit mësimor në fushën e punës sociale me refugjatë dhe migrantë.

Trajnimi u organizua nga Qendra Didaktike për Përsosmëri në Mësimdhënie e Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë (UFAGJ) dhe u udhëhoq nga Prof. Asoc. Dr. Ferdi Kamberi dhe Prof. Dr. Behxhet Gaxhiqi, të certifikuar për këto metodologji përmes programit Training of Trainers, të organizuar nga University College Lillebælt (UCL) në Vejle, Danimarkë, në kuadër të projektit Edu4Migration.

Gjatë trajnimit u trajtuan dy qasje kryesore të mësimdhënies bashkëkohore: të nxënit e bazuar në problem (Problem-Based Learning) dhe didaktika e bazuar në skenarë (Scenario-Based Didactics). Përmes këtyre qasjeve u theksua rëndësia e përfshirjes aktive të studentëve në procesin mësimor, zhvillimit të mendimit kritik dhe aftësisë për të analizuar situata komplekse dhe për të marrë vendime të argumentuara.

Në kuadër të trajnimit u diskutuan gjithashtu tema që lidhen me përdoruesit e shërbimeve në arsim, si dhe përdorimi i pyetjeve Sokratike dhe debatit si metoda të mësimdhënies. Trajnimi u karakterizua nga një qasje ndërvepruese, e cila përfshiu diskutime, debate, punë në grupe dhe ushtrime praktike, duke krijuar hapësirë për shkëmbimin e përvojave profesionale dhe zbatimin konkret të metodologjive të prezantuara.

Në këtë fazë, në trajnim morën pjesë anëtarë të stafit akademik nga Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Fakulteti i Edukimit. Në fazën e ardhshme, aktivitetet trajnuese do të vazhdojnë me stafin akademik të njësive të tjera akademike të universitetit, me synim zgjerimin e zbatimit të këtyre qasjeve në fusha të ndryshme të studimit.

Përmes këtij trajnimi dhe aktiviteteve të tjera në kuadër të projektit Edu4Migration, UFAGJ synon të forcojë kapacitetet pedagogjike të stafit akademik dhe të promovojë një kulturë bashkëkohore të mësimdhënies, e cila ndërthur njohuritë teorike me praktikën, bashkëpunimin dhe reflektimin kritik, në funksion të përgatitjes së profesionistëve për sfidat bashkëkohore shoqërore.

Fotot e lajmit