Ilir Lita nga Peace Corps zhvillon diskutim interaktiv me studentët e vitit të parë mbi vullnetarizmin, komunikimin dhe lidershipin
Në Universitetin e Gjakovës u mbajt një ligjëratë interaktive me studentët e vitit të parë, e udhëhequr nga Ilir Lita, vullnetar i Peace Corps në Kosovë, me temën “Building Impact & Voice: Volunteering, Communication & Leadership”.
Gjatë takimit, Ilir Lita zhvilloi diskutime me studentët mbi rëndësinë e vullnetarizmit, angazhimin qytetar dhe rolin e të rinjve në zhvillimin e komunitetit. Po ashtu, u trajtuan tema që lidhen me komunikimin publik, tejkalimin e frikës nga të folurit para publikut, vetëbesimin, inteligjencën emocionale dhe sjelljen profesionale.
Diskutimi përfshiu edhe përdorimin e përgjegjshëm të rrjeteve sociale, ndërtimin e imazhit profesional dhe shfrytëzimin e mundësive për zhvillim akademik dhe karrierë. Përmes bashkëbisedimit dhe pyetjeve të drejtpërdrejta, studentët patën mundësi të ndajnë mendimet dhe përvojat e tyre, si dhe të diskutojnë mbi rëndësinë e angazhimit vullnetar që gjatë studimeve. Aktiviteti synoi të nxisë te studentët iniciativën, komunikimin efektiv dhe zhvillimin e aftësive personale e profesionale.
Universiteti mbetet i përkushtuar në krijimin e mundësive për bashkëpunim, shkëmbim përvojash dhe aktivitete që kontribuojnë në përgatitjen e studentëve për sfidat e së ardhmes.