Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale organizojnë ligjëratë të hapur znj. Hava Shalën me temë ‘Pajtimi i gjaqeve – kur një popull zgjodhi faljen’
Gjakovë 7 prill 2026
Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale kanë organizuar një ligjëratë të hapur me znj. Hava Shalën me temë ‘Pajtimi i gjaqeve – kur një popull zgjodhi faljen’ me qëllim të reflektimit dhe diskutimit për ‘kujtesën kolektive të popullit shqiptar’
Në fjalën hyrëse, kryesuesja e këshillit drejtuese znj. Majlinda Ramadani Haxhikadrija nënvizoi rolin që kishte iniciativa për pajtimin e gjaqeve në një kohë të vështirë me plotë sfida, duke theksuar kontributin e akterëve në pajtimin ndërmjet shqiptarëve. Në anën tjetër, dekani i fakultetit të shkencave sociale prof. Ass. Dr. Ferdi Kamberi theksoi se roli i znj. Hava Shala në pajtimin e gjaqeve përfaqëson një akt të fuqishëm social dhe human. Ajo nuk ishte thjesht një ndërmjetëse, por një urë lidhëse mes familjeve të përçara, duke promovuar pajtimin, mirëkuptimin dhe paqen.
Znj. Hava Shala foli për misionin e vështirë që kishte në atë kohë, bashkëpunimin me prof. Anton Çetën, rajonet ku kanë pasur më shumë falje të gjaqeve, komunikimin ndërmjet familjeve, të drejtën zakonore, odën si institucion social, sfidat dhe vështirësitë, duke nënvizuar se vullneti, përkushtimi dhe qëndrueshmëria kanë bërë që ajo dhe kolegët e saj të arrijnë synimet e tyre drejt pajtimit mes familjeve të përçara.
Në fund të aktivitetit, znj. Hava Shala iu nda një mirënjohje si shenjë vlerësimi për kontributin e saj të çmuar në pajtimin e gjaqeve dhe promovimin e paqes dhe unitetit në shoqërinë shqiptare, si dhe studentët e fakultetit të shkencave sociale i dhuruan një pikturë me një domethënie të veçantë.
Aktiviteti është moderuar nga studentja Elda Gacaferri dhe kontribut të rëndësishëm në këtë organizim kanë dhënë edhe studentët: Amrbona Lajqi, Era Sylmetaj, Blerina Rrustemi, Rona Rudi, Altrina Halilaj dhe Edon Hajdari.