Stafi administrativ i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë merr pjesë në punëtorinë për mirëqenien, menaxhimin e stresit dhe vetëkujdesin
Qendra Universitare për Këshillime Psiko-sociale në kuadër të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, me datë 29 prill 2026, organizoi punëtorinë me temën “Mirëqenia, menaxhimi i stresit dhe vetëkujdesi”, e cila u mbajt në Fakultetin e Edukimit, duke filluar nga ora 13:00.
Në këtë aktivitet mori pjesë stafi administrativ i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, duke dëshmuar interes të lartë për çështjet që lidhen me shëndetin mendor, mirëqenien dhe balancimin e jetës profesionale me atë personale. Pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime interaktive dhe ndanë përvoja të ndryshme lidhur me sfidat e përditshme.
Punëtorinë e udhëhoqi Emirëjeta Kumnova, psikologe klinike dhe asistente e rregullt në Fakultetin e Edukimit në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë. Ajo prezantoi teknika konkrete për menaxhimin e stresit, rëndësinë e vetëkujdesit dhe mënyra efektive për përmirësimin e mirëqenies emocionale dhe psikologjike.
Gjatë punëtorisë u theksua rëndësia e krijimit të një mjedisi pune mbështetës dhe të shëndetshëm, si dhe nevoja për t’i kushtuar vëmendje mirëqenies individuale si një faktor kyç për rritjen e efikasitetit dhe kënaqësisë në punë.
Ky aktivitet është pjesë e aktiviteteve të Qendrës Universitare për Këshillime Psiko-sociale për të promovuar shëndetin mendor dhe për të fuqizuar stafin universitar përmes aktiviteteve edukative dhe ndërgjegjësuese.