Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe partnerët organizojnë me sukses Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Drejt një Shoqërie Inteligjente: Sfida dhe Mundësi”
Gjakovë, 22–23 maj 2026
Fakulteti i Shkencave Sociale, në kuadër të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Sociologjisë (AIS) dhe partnerë të tjerë vendorë e ndërkombëtarë, organizoi me sukses Konferencën Ndërkombëtare Shkencore me temën “Drejt një Shoqërie Inteligjente: Sfida dhe Mundësi”.
Konferenca mblodhi në Gjakovë studiues, profesorë universitarë, hulumtues, profesionistë dhe ekspertë nga shumë vende të botës, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për shkëmbimin e ideve, përvojave dhe rezultateve shkencore në fusha të ndryshme të shkencave sociale dhe humane.
Në kuadër të konferencës u realizuan mbi 230 prezantime shkencore, me pjesëmarrjen e më shumë se 330 autorëve dhe bashkautorëve, delegatë dhe studiues nga të paktën 27 shtete të botës. Programi përfshiu 16 sesione tematike dhe sesione speciale, si dhe diskutime akademike ndërdisiplinore.
Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, theksoi se kjo konferencë paraqet një hapësirë të rëndësishme ku krijohen lidhje të reja akademike dhe profesionale, si dhe formohen gjenerata të reja që do të kontribuojnë për shoqërinë e së ardhmes. Ndërsa, Rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër Tonin Gjuraj vlerësoi se konferenca trajton zhvillimet më të rëndësishme të shoqërisë bashkëkohore dhe sfidat me të cilat ajo po përballet sot.
Në kuadër të konferencës kontribuuan edhe këta folës: Dr. Jola Kepi, Drejtore Ekzekutive e Institutit të Lidershipit Shkollor; z. Jacques Marion nga Franca, Kryetar i Federatës Universale të Paqes për Evropën dhe Lindjen e Mesme, Prof. Dr. Robert Çitozi, i cili foli në emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, znj. Jonida Lamaj, përfaqësuese e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, e cila prezantoi angazhimet e institucionit në fushën e shkencës, arsimit dhe kulturës, si dhe prof. Alma Shehu – Prorektore për Mësim, Çështje Studentore dhe Kërkim Shkencor në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.
Ndërsa prof. Besim Gollopeni, në cilësinë e koordinatorit të institucioneve partnere dhe organizuesve të konferencës, theksoi se konferenca ka një vlerë të veçantë në kontekstin e kohës në të cilën po jeton shoqëria bashkëkohore. Po ashtu, prof. Dr. Lekë Sokoli, ideator i konferencës, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit akademik dhe rolin që kjo konferencë ka në avancimin e shkencës dhe dialogut ndërkombëtar.
Temat e trajtuara në konferencë u fokusuan në zhvillimet bashkëkohore të shoqërisë inteligjente, transformimin digjital, edukimin, politikat sociale, inteligjencën artificiale, mirëqenien sociale, sfidat globale dhe ndikimin e teknologjisë në jetën shoqërore.
Në përmbyllje të konferencës u ndanë edhe çmime të veçanta. Çmimi për Ekselencë iu dha studentëve të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Ndërsa nga Federata Universale e Paqes, me çmimin “Ambasador për Paqe”, u nderuan Dr. Jola Kepi, znj. Jonida Lamaj, si dhe profesori universitar dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Ass. Dr. Ferdi Kamberi, për kontributin e tyre në promovimin e dijes, dialogut dhe vlerave të paqes në shoqëri.