Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Handikos Gjakovë organizojnë sesion informues për të drejtat dhe gjithëpërfshirjen e personave me aftësi të kufizuara
Gjakovë, 25 nëntor 2026
Në ambientet e Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, u mbajt një sesion informues me përfaqësues të organizatës Handikos Gjakovë dhe studentë të Fakultetit, në kuadër të aktiviteteve që i paraprijnë shënimit të 3 Dhjetorit - Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.
Në këtë sesion, në cilësinë e panelistëve, morën pjesë: Ass. (PhD) Granit Kelmendi nga Fakulteti i Shkencave Sociale, Brilanta Ballata, drejtoreshë e Handikos Gjakovë dhe Arbër Xharra, Zyrtar për Mbrojtjen e Fëmijëve në Handikos Gjakovë.
Gjatë diskutimit u trajtuan tema që ndërlidhen me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, sfidat me të cilat ata përballen në jetën e përditshme, rëndësinë e përfshirjes dhe pjesëmarrjes së barabartë në shoqëri, si dhe shërbimet dhe veprimtarinë shumëvjeçare të Handikos Gjakovë. Një ndër rezultatet konkrete të këtij takimi ishte dakordimi për angazhimin vullnetar të studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale në Handikos Gjakovë. Ky angazhim synon të krijojë mundësi për përfshirjen e studentëve në aktivitete praktike dhe në mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin e kompetencave të tyre profesionale dhe sociale.
Fakulteti i Shkencave Sociale mbetet i përkushtuar në promovimin e barazisë, drejtësisë sociale dhe gjithëpërfshirjes. Në këtë drejtim, bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile vlerësohet si një mundësi e rëndësishme për ndërlidhjen e njohurive akademike me praktikën profesionale dhe për krijimin e mundësive konkrete për kontributin e studentëve në komunitet.
Fakulteti falënderon Handikos Gjakovë për bashkëpunimin dhe kontributin në realizimin e këtij sesioni, si dhe studentët për pjesëmarrjen aktive dhe gatishmërinë për t’u angazhuar në aktivitete vullnetare.