EDU4MIGRATION sjell përvojat akademike daneze në UFAGJ - profesorët nga UCL Vejle bashkëbisedojnë me studentët për migrimin dhe rolin e punës sociale

EDU4MIGRATION sjell përvojat akademike daneze në UFAGJ - profesorët nga UCL Vejle bashkëbisedojnë me studentët për migrimin dhe rolin e punës sociale

Fakulteti i Shkencave Sociale, në kuadër të projektit EDU4MIGRATION, ka mirëpritur profesorët Kim Nørbygaard dhe Nora Elmatari nga UCL Vejle, Danimarkë, të cilët zhvilluan një bashkëbisedim me studentët rreth migrimit, rolit të punës sociale dhe praktikave profesionale në vendet skandinave.

Takimin e hapi dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Ferdi Kamberi, i cili theksoi rëndësinë e projektit EDU4MIGRATION dhe kontributin e tij në avancimin e njohurive, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Ndërkaq, Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte – Prof. Ass. Dr. Kaltrina Kusari, vuri në pah rolin e punës sociale në kuadër të projektit dhe kontributin e universiteteve në adresimin e çështjeve të migrimit përmes edukimit, hulumtimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Gjatë diskutimit, profesorët Kim Nørbygaard dhe Nora Elmatari u fokusuan në rëndësinë e punës sociale, duke prezantuar dhe krahasuar sistemin dhe praktikat e vendeve skandinave me ato të Kosovës. Në veçanti, u diskutuan organizimi i shërbimeve sociale, praktikat profesionale dhe sfidat me të cilat përballen punonjësit socialë. Interesim të veçantë shprehën edhe studentët, të cilët parashtruan pyetje rreth mundësive të mobilitetit akademik, praktikës profesionale në fushën e punës sociale dhe shkëmbimit të përvojave me institucionet dhe studentët danezë.

Në takim ishin të pranishëm edhe Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Asoc. Dr. Drilon Bunjaku, dhe Prorektori për Zhvillim Akademik dhe Ngritje të Cilësisë, Prof. Dr. Behxhet Gaxhiqi.

Kjo vizitë synon intensifikimin e bashkëpunimit me universitetet ndërkombëtare, krijimin e mundësive të reja për mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik, si dhe fuqizimin e procesit të ndërkombëtarizimit të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë.

Fotot e lajmit