Studentët e Fakulteti i Shkencave Sociale zhvillojnë praktikën profesionale me sukses në institucionet partnere
Gjakovë, 18 mars 2026
Praktika profesionale e studentëve të vitit të parë dhe të tretë të Fakultetit të Shkencave Sociale po zhvillohet me sukses në institucione publike dhe organizata joqeveritare partnere. Studentët janë të angazhuar në institucione sociale, arsimore dhe shëndetësore, ku po zbatojnë njohuritë e fituara gjatë studimeve dhe po zhvillojnë kompetencat e tyre profesionale përmes përvojës direkte në terren.
Kjo praktikë zhvillohet në kuadër të programit studimor “Kujdesi dhe Mirëqenia Sociale” në Fakultetin e Shkencave Sociale, i cili parasheh realizimin e praktikës në dy semestra, secili me nga 15 javë. Ky organizim mundëson ndërlidhjen efektive të përgatitjes teorike me përvojën praktike në fushën e punës sociale.
Praktika realizohet në bashkëpunim me një numër të madh partnerësh institucionalë dhe organizatash joqeveritare, ndër të cilët: Qendrat për Punë Sociale, Qendrat e Shëndetit Mendor, Medica Gjakova, Kryqi i Kuq, Handikos Gjakova, Shoqatat e të Verbërve, Concordia Projekte Sociale, Bethany Christian Services, si dhe institucionet arsimore parafillore, fillore dhe të mesme.
Gjithashtu, fakulteti bashkëpunon me institucione dhe organizata në komunat Gjakovë, Pejë, Deçan, Klinë dhe Istog, duke mbështetur zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve. Procesi i praktikës koordinohet dhe mentorohen nga PhD Ass. Granit Kelmendi, ndërsa ligjëratat dhe mësimdhënia në këtë lëndë zhvillohen nga Prof. Asoc. Dr. Sherif Sejdiu.
Fakulteti i Shkencave Sociale shpreh mirënjohje të veçantë për institucionet pritëse dhe mentorët profesionalë për mbështetjen dhe kontributin e tyre në përgatitjen profesionale të studentëve.