
Stafi akademik i Fakultetit të Shkencave Sociale mban takime me studentë për inicimin e programit ‘Master’
Në kuadër të planifikimeve të Fakultetit të Shkencave Sociale rreth programit ‘Master’ stafi akademik i fakultetit ka zhvilluar takime me studentët e fakultetit. Janë zhvilluar gjithsej dy takime të rëndësishme, të cilat kanë pasur për qëllim informimin e studentëve rreth modeleve të programit ‘Master’, matjen e perceptimeve, vlerësimet dhe qëndrimet e studenteve, infrastrukturën dhe diskutime të tjera.
Gjatë fjalës së tyre Dekani Prof. Ass. Dr. Ferdi Kamberi ka folur rreth modaliteteve të programit ‘Master’ të cilët synojnë të aplikojnë. Ndërsa, Prodekani Prof. Ass. Dr. Sherif Sejdiu është fokusuar më shumë në qasjen dhe prezantimin e disa lëndëve substanciale të cilat do të ketë programi. Asistentja Mirlinda Jasiqi, ka shprehur gadishmërinë dhe përkrahjen për studentët për t’i motivuar për të vazhduar më tej në rrugëtimet akademike.
Pas fjalës dhe prezantimeve nga stafi akademik, diskutimi u zhvillua nga studentët të cilët ishin të kënaqur me këtë iniciativë. Ata theksuan se një program i nivelit ‘Master’ është i nevojshëm, pasi është i pari i këtij lloji në kuadër të Universiteteve në komunat e rajonit të Dukagjinit. Më tej studentët theksuan se kanë nevojë që programi i këtij niveli të ketë një ndërlidhje të ngushtë më praktikën e punës dhe të jetë konform nevojave të tregut të punës.
Këto takime janë vazhdimësi e takimeve në mes të stafit akademik, studentëve, akterëve të tjerë të cilët japin kontributin e tyre në fuqizimin dhe ngritjen e Fakultetit të Shkencave Sociale drejt arritjes së synimeve të tij.