Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë mirëpret vullnetarin e Peace Corps Ilir Lita
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë ka mirëpritur Ilir Litën, vullnetar të Peace Corps, i cili do të angazhohet në mbështetje të proceseve zhvillimore, akademike dhe institucionale të Universitetit.
Në kuadër të takimit mikpritës, të organizuar nga Peace Corps me rastin e fillimit të angazhimit të tij në Universitet, morën pjesë Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale Prof. Ass. Dr. Ferdi Kamberi dhe Prodekani Prof. Asoc. Dr. Sherif Sejdiu. Gjatë takimit u diskutua për fushat e bashkëpunimit dhe angazhimit të vullnetarit, si dhe për mundësitë që ky bashkëpunim ofron për zhvillimin e mëtejshëm të Universitetit.
Ilir Lita do të kontribuojë në zhvillimin e Planit Strategjik të Universitetit, zhvillimin e Fakultetit të Shkencave Sociale, forcimin e bashkëpunimit me partnerë, si dhe në iniciativa në bashkëpunim me studentët dhe stafin akademik.
Angazhimi i tij përfaqëson një hap të rëndësishëm në zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Universitetit, duke sjellë mundësi të reja për shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave të mira në komunitetin universitar.