
Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale organizojnë ligjëratë të hapur me Mirlinda Sada nga OJQ – Medica Gjakova
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës Sociale, studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale, pran Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë kanë ndërmarrë një iniciativë për të organizuar ligjëratë të hapur dhe për të bashkëbiseduar me znj. Mirlinda Sada nga OJQ – Medica Gjakova.
Në fjalën hyrëse, Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale Prof. Ass. Dr. Ferdi Kamberi, nënvizoni rolin dhe rëndësinë që ka misioni i punonjësve social, rrugëtimin e tyre, si dhe sfidat me të cilat ballafaqohen ata. Prorektorja për Zhvillim Akademik dhe Ngritje të Cilësisë dhe Prorektore për Hulumtime dhe Kërkime Shkencore, Prof. Ass. Dr. Kaltrina Kusari theksoi se tema e këtij viti në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Punës Sociale ka të bëjë me "Forcimin i Solidaritetit Ndër brezash për një Mirëqenie të Qëndrueshme", e cila hijezon rëndësinë e kujdesit dhe respektit mes brezave për të ndërtuar shoqëri të forta dhe për të mbështetur mjedisin social në të cilin jetojmë.
Ndërsa, për ligjëratën e hapur me studentë, foli znj. Mirlinda Sada nga OJQ – Medica Gjakova e cila u fokusua rreth rolit të profilit social në ditën ndërkombëtare të punës sociale, aktiviteteve që ka kjo organizatë në raport me klientë në ofrimin e shërbimeve psiko - sociale, shtrirjen e veprimtarisë së organizatës në komuna të tjera, raportin me Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, sidomos në zhvillimin e praktikës së punës sociale, si dhe orientimet e së ardhmes të OJQ – Medica Gjakova.
Në anën tjetër, studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale e mirëpritën ligjëratën dhe gjatë bashkëbisedimit parashtruan një mori të pyetjeve të cilat kishin të bëjnë me temën në fjalë. Në fund, studentët shpërndan edhe broshurën me profilin e punëtorëve social, të cilin e kishin përgatitur enkas për Ditën Ndërkombëtare të Punës Sociale.