
Fakulteti i Shkencave Sociale mban me sukses provimin pranues për programin “Kujdesi dhe Mirëqenia Sociale”
Fakulteti i Shkencave Sociale në kuadër të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë ka organizuar sot provimin pranues të afatit të parë për programin bachelor “Kujdesi dhe Mirëqenia Sociale”. Për të monitoruar zhvillimin e procesit dhe për t’u uruar sukses kandidatëve të rinj, në objektin e Fakultetit të Shkencave Sociale ishin të pranishëm: Prof. Ass. Dr. Ferdi Kamberi, Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Ass. Dr. Sherif Sejdiu, Prodekan, Prof. Ass. Dr. Nazli Tyfekçi, Prorektore për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Prof. Ass. Dr. Kaltrina Kusari, Prorektore për Zhvillim Akademik dhe Ngritje të Cilësisë dhe Prorektore për Hulumtime dhe Kërkime Shkencore, të cilët u pritën nga stafi akademik, administrativ dhe studentët vullnetarë të fakultetit.
Dekani Kamberi shprehu urimet e tij për të gjithë kandidatët që kanë zgjedhur Fakultetin e Shkencave Sociale për të vazhduar studimet e tyre. Përderisa, Prodekani Sejdiu vlerësoi punën e përkushtuar të stafit akademik, administrativ dhe studentëve vullnetarë, të cilët kontribuan në organizimin e suksesshëm të këtij procesi. Prorektorët e pranishëm theksuan se menaxhmenti i universitetit dhe i njësive akademike janë plotësisht të përkushtuar për të garantuar një proces të drejtë, transparent dhe të bazuar në meritokraci.
Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë vazhdon të jetë një institucion arsimor i përkushtuar ndaj zhvillimit integral të studentëve, duke ofruar një mjedis social, mbështetës dhe frymëzues që i ndihmon ata të arrijnë synimet e tyre arsimore dhe profesionale.