Fakulteti i Shkencave Sociale lidh marrëveshje bashkëpunimi me OJQ “Handikos” në Gjakovë
Gjakovë, 30 mars 2026
Fakulteti i Shkencave Sociale ka formalizuar sot një marrëveshje bashkëpunimi me organizatën joqeveritare “Handikos” në Gjakovë, duke thelluar më tej bashkëpunimin me partnerë të rëndësishëm në fushën e shërbimeve sociale.
Dokumenti u nënshkrua nga dekani i fakultetit, Prof. Ass. Dr. Ferdi Kamberi, dhe drejtoresha ekzekutive e “Handikos” në Gjakovë, znj. Brilanda Ballata. Kjo marrëveshje synon të fuqizojë lidhjet institucionale përmes realizimit të projekteve të përbashkëta, shkëmbimit të përvojave profesionale dhe përfshirjes aktive të studentëve në procese që ndërlidhen drejtpërdrejt me praktikën në terren.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, rëndësi e veçantë i kushtohet zhvillimit të praktikës profesionale të studentëve, duke u ofruar atyre mundësi konkrete për angazhim në aktivitete dhe shërbime komunitare. Përmes kësaj përvoje, studentët do të kenë mundësi të avancojnë aftësitë praktike, të fitojnë eksperiencë reale dhe të ndërtojnë një urë më të fortë mes njohurive teorike dhe aplikimit të tyre në praktikë.
Marrëveshja është mundësuar falë angazhimit dhe koordinimit të asistentit MA (PhD kandidat) Granit Kelmendi, i cili njëkohësisht mbikëqyr procesin e praktikës profesionale të studentëve në institucione publike dhe organizata joqeveritare.