Fakulteti i Shkencave Sociale organizon provimin pranues - Afati II për vitin akademik 2026/2027
Gjakovë, 17 Shtator 2026
Universiteti "Fehmi Agani" në Gjakovë, përmes Fakultetit të Shkencave Sociale, organizoi sot provimin pranues – Afati II, për kandidatët që aplikuan për programin e studimit "Kujdesi dhe Mirëqenia Sociale", në kuadër të procesit të regjistrimit për vitin akademik 2026/2027.
Në hapje të këtij aktiviteti, kandidatët u përshëndetën nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Ass. Dr. Ferdi Kamberi, i cili theksoi se ky program përbën një hap të rëndësishëm në formimin e brezit të ri të profesionistëve të angazhuar për çështje sociale. Ai i inkurajoi kandidatët të japin më të mirën e tyre dhe u uroi sukses në këtë etapë të re të arsimimit të lartë.
Në emër të menaxhmentit të universitetit, e pranishme ishte edhe Prorektorja për Mësimdhënie dhe Çështje të Studentëve, Prof. Dr. Sindorela Doli Kryeziu, e cila shprehu mirënjohjen për interesimin e kandidatëve ndaj këtij institucioni dhe vuri në dukje rolin kyç që ka ky program në fuqizimin e shërbimeve sociale dhe përmirësimin e mirëqenies së komunitetit.
Provimi pranues - Afati II, u realizua me përfshirjen e stafit akademik dhe administrativ, si dhe me mbështetjen e studentëve të fakultetit dhe të parlamentit të studentëve, të cilët kontribuan në një atmosferë të organizuar, profesionale dhe transparente gjatë gjithë procesit.
Në përfundim, Fakulteti i Shkencave Sociale shpreh urimet më të mira për të gjithë kandidatët, duke u dëshiruar sukses si në fazën e pranimit, ashtu edhe në rrugëtimin e tyre të ardhshëm akademik e profesional.