Fakulteti i Shkencave Sociale në bashkëpunim me Qendrën PTC organizojnë trajnim për stafin akademik

Fakulteti i Shkencave Sociale në bashkëpunim me Qendrën PTC organizojnë trajnim për stafin akademik

Gjakovë, 25 shtator 2026

Fakulteti i Shkencave Sociale në bashkëpunim me Qendrën PTC – Qendrën e Trajnimit Psikosocial dhe të Kreativitetit të Fëmijëve në Shqipëri, organizoi trajnim për stafin akademik me temën “Pedagogu si figurë me ndikim psikologjik dhe social te studenti”.

Trajnimi u udhëhoq nga znj. Fabiola Elezaj, drejtore e Qendrës PTC – Qendrës së Trajnimit Psikosocial dhe të Kreativitetit të Fëmijëve në Shqipëri. Aktiviteti kishte për qëllim ngritjen dhe avancimin e kapaciteteve profesionale të stafit akademik, përfshirë mësimdhënësit dhe asistentët, me fokus të veçantë në marrëdhënien pedagog–student dhe në ndikimin psikologjik e social që kjo marrëdhënie ka në procesin edukativ.

Gjatë trajnimit u trajtuan një sërë temash me rëndësi për zhvillimin e praktikave bashkëkohore në arsimin e lartë, ndër të cilat: koncepti filozofik i universitetit, roli i pedagogut në raport me studentin, metodologjitë bashkëkohore të mësimdhënies, transformimi i rolit të pedagogut nga e kaluara në të tashmen, ndikimi psikologjik dhe social i pedagogut te studenti, si dhe parimet e pedagogut me ndikim pozitiv.

Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit iu kushtua diskutimeve interaktive dhe analizimit të rasteve studimore, duke krijuar mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe reflektimin mbi praktikat e përditshme të punës me studentët. Trajnimi u zhvillua në frymë bashkëpunuese dhe interaktive dhe kontribuoi në forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale të stafit akademik.

Ky aktivitet është pjesë e planit strategjik të Fakultetit të Shkencave Sociale për ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve të stafit akademik, si dhe në funksion të zbatimit të rekomandimeve të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së mësimdhënies dhe zhvillimit profesional të stafit akademik.

Përmes aktiviteteve të tilla, Fakulteti i Shkencave Sociale synon të avancojë vazhdimisht cilësinë e procesit mësimor dhe të forcojë një qasje bashkëkohore, profesionale dhe të orientuar drejt nevojave të studentëve.

Fotot e lajmit